Meka do t’i pranojë vetëm pelegrinët e “imunizuar”

Meka do t’i pranojë vetëm pelegrinët e “imunizuar”

Autoritetet e Arabisë Saudite kanë njoftuar se gjatë muajit të Ramazanit në Mekë do të lejohen të shkojnë për të kryer pelegrinazhin e umres vetëm ata të cilët janë imunizuar kundër Coronavirusit.

Ndryshe nga haxhi, pelegrinazhi më i shkurtër i umres nuk është i detyrueshëm dhe mund të kryhet në çdo kohë të vitit, shkruan The Guardian, transmeton Insajderi.

Ministria e haxhit dhe umres ka bërë të ditur se tri kategori njerëzish do të konsiderohen “të imunizuar”: Ata të cilët kanë marrë dy dozat e vaksinës kundër COVID-19, personat që kanë marrë njërën dozë të paktën 14 ditë më herët dhe ata që janë shëruar.

Vetëm këto kategori do të kenë të drejtë të kryejnë umre, si dhe të marrin pjesë për lutje në Xhaminë e Madhe në qytetin e Mekës.

Sipas ministrisë, këto rregulla hyjnë në fuqi në fillim të Ramazanit, por ishte e paqartë se sa do të zgjasin.

Në Arabinë Saudite që ka rreth 34 milionë banorë, është konfirmuar se deri më tani janë regjistruar mbi 390 mijë raste me COVID-19, kurse pasojat e infeksionit ua kanë marrë jetën 6.700 personave.

Në këtë vend janë shpërndarë mbi pesë milionë doza të vaksinës kundër COVID-19./Insajderi.com