Superliga me dy ndeshje gjatë të dielës në program

Superliga me dy ndeshje gjatë të dielës në program

Gjatë të dielës, Superliga e Kosovës në futboll vazhdon me xhiron e 28-të kampionale, ku në program janë dy ndeshje, njofton Insajderi.

Dy takimet e së dielës në Superligë janë mes skuadrave pretendente për titull si Drita dhe Prishtina, dhe ekipeve që luftojnë për mbijetesë, Drenica dhe Llapi.

Drenica në “Bajram Aliu” pret Prishtinën, ku aktualisht ekipi nga Skenderaj ndodhet në vendin e tetë në ligë me 30 pikë, tre pikë larg pozitës që dërgon në Ligën e Parë. Në anën tjetër, Prishtina ndodhet në vendin e tretë me 54 pikë, katër pikë më pak se lideri Ballkani.

Në sfidën tjetër, Llapi është nikoqir i Dritës së Gjilanit në “Zahir Pajaziti”. Me një fitore eventuale gjilanasit do të rikthenin pozitën e parë në tabelë, pasi ndodhen me pikë të barabarta me ekipin nga Suhareka. Ndërsa, Llapi ndodhet në vendin e shtatë me 33 pikë, në një pozitë të palakmueshme tabelore. Të dyja takimet fillojnë nga ora 15:00. /Insjaderi.com