Drita mposht Llapin ndërsa Prishtina mposht Drenicën

Drita mposht Llapin ndërsa Prishtina mposht Drenicën

Ekipet pretendente për titull, Drita dhe Prishtina kanë shënuar fitore si mysafir në xhiron e 28-të në Superligë, njofton Insajderi.

Prishtina ka mposhtur minimalisht Drenicën në “Bajram Aliu”, me golin e vetëm të shënuar nga Kryeziu, i cili realizoi në minutën e 73-të të takimit.

Në sfidën tjetër të zhvilluar në “Zahir Pajaziti”, Llapi ka pësuar disfatë nga kampioni aktual dhe lideri i Superligës, Drita, me rezultat 2:4. Fillimisht të parët kaluan në epërsinë nikoqirët me Januzin i cili shënoi pas vetëm dy minutash lojë. Kundërpërgjigja nuk vonoi nga miqtë, për më tepër në pjesën e parë përmbysën rezultatin, por pa arritur ta mbanin atë.

Fillimisht barazoi Shabani në minutën e katërt, ndërsa Alidemaj kaloi për herë të parë Dritën në epërsi (30’). Pas vetëm dy minutash, shënuan përsëri vendasit, ku Sadriu barazoi shifrat në 2:2, rezultat me të cilën u mbyllën 45’ minutat e parë të ndeshjes.

Në pjesën e dytë gjilanasit siguruan fitoren, ku do të realizonin Shabani (69’) dhe Prisley (78’), për rezultatin final, Llapi 2:4 Drita.

Pas kësaj fitore, Drita rimerr kreun në ligë me 61 pikë, Prishtina ndodhet në vendin e tretë me 57 sosh.

Llapi mbetet në vendin e shtatë me 33 pikë, ndërsa Drenica ndodhet një pozitë më poshtë me tre pikë më pak. /Insajderi.com