Si në tërë botën, pandemia COVID-19 ka rënduar ekonominë edhe në qytetin e Vushtrrisë. Në këtë komunë që nga viti 2020 janë mbyllur 333 biznese apo afër 30 për qind e totalit të bizneseve, si pasojë e kësaj situate, transmeton Insajderi.
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka thënë se si komunë kanë ndarë 250 mijë euro për 513 biznese.
“Janë vetëm disa biznese që kanë pasur probleme me xhirollogaritë. Në vitin 2020, 60 për qind e familjeve kanë deklaruar se kanë më pak të hyra si rezultat i pandemisë. 333 biznese janë mbyllur në Vushtrri për shkak të pandemisë. Ende nuk po e shohim pasqyrën e saktë të dëmit i cili është shkaktuar. Ende nuk po e kemi një plan të qartë se si do të dalim nga kjo krizë”, ka thënë ai.
Ai tutje ka shtuar kanë marrë masa për të bërë shkurtime tatimore.
Ndërsa, lidhur me masat e fundit të miratuara nga Qeveria e Kosovës për mbyllje të pjesshme të vendit, Tahiri ka theksuar se e kanë thelluar edhe më tej krizën ekonomike.
I pari i Vushtrrisë në emisionin SOT në KTV ka thënë se shpreson që pas datës 18 nuk do të ketë më masa të mbylljes, por fokusimi do të jetë në sigurimin e vaksinave.
Tahiri ka potencuar se janë ndarë 500 vaksina për këtë komunë.
Tahiri ka thënë se personalisht nuk është vaksinuar, duke shtuar se ky numër i vaksinave është i pamjaftueshëm./Insajderi.com