Shtëpia e Bardhë i ka ofruar mbështetjen e plotë amerikane Londrës në përgjigje të sulmit terrorist pranë parlamentit britanik ku gjetën vdekjen katër vetë dhe u plagosën mbi 20 të tjerë.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer tha se Presidenti Trump kishte folur me Kryeministren Theresa May lidhur me ngjarjen dhe i kishte ofruar ndihmën amerikane për të sjellë personat përgjegjës para drejtësisë. Sipas zëdhënësit, Shtëpia e Bardhë përgëzon Britaninë për reagimin e shpejtë ndaj incidentit.
Një sulm i përgjakshëm në kompleksin e parlamentit britanik në Londër ka lënë të vrarë 4 persona, ndër të cilët edhe një polic.
Kreu i anti-terrorizmit në Departamentin Policor të Londrës e cilësoi aktin një sulm terrorist dhe konfirmoi se ndër të vrarët përfshihen autori i sulmit dhe një polic.
Mark Rowley tha se rreth 20 vetë janë plagosur dhe policia ka rrethuar dhe bllokuar parlamentin. Autoritetet po kontrollojnë zonën, për të garantuar se nuk do të ketë sulme të reja në zonë, megjithëse policia beson se vetëm një person ishte i përfshirë në këtë sulm.
Zoti Rowley tha se polici i vrarë ishte një ndër rojet e armatosura të parlamentit. Viktima tjetër ishte lënduar nga sulmi në urën Westminster.
Një person, që sipas njoftimeve ishte një burrë në moshë të mesme, qëlloi me armë të ftohtë policin brenda perimetrit të parlamentit, para se të qëllohej me armë zjarri nga policia.
Një zyrtar i lartë i policisë tha për Zërin e Amerikës se autoritetet besojnë që një person ishte i përfshirë në një sulm me tre etapa.
Incidenti filloi me një makinë në urën Westminster pranë Parlamentit Britanik. Makina hipi në trotuar dhe goditi disa këmbësorë.
Policia metropolitane tha se po e heton incidentin si akt terrorist, deri kur të dihen hollësi të tjera, duke shtuar se situata është në zhvillim dhe duke u bërë thirrje njerëzve të mos afrohen tek skena e ngjarjes.
Kryetari i Dhomës së Komuneve në parlament, David Lidington tha se ka pasur njoftime për akte të dhunshme brenda kompleksit të organit legjislativ britanik. Ai konfirmoi se personi i dyshuar si autor i sulmit është vrarë nga forcat e rendit.
Sipas rrëfimeve të dëshmitarëve dhe fotografive nga skena e ngjarjes, në zonë duken dy viktima të përgjakura pranë urës Westminster, ku sipas njoftimeve policia reagoi ndaj një “incidenti me armë zjarri”.
Dëshmitarët njoftuan më pas se kishin parë një makinë në lëvizje që goditi disa persona mbi urë. Në fotografi shihen një numër viktimash mbi urë./VOA