Kosova në krye të listës pas ditës së dytë në Kampionatin Evropian të xhudos

Kosova në krye të listës pas ditës së dytë në Kampionatin Evropian të xhudos

Me fitoren e medaljes së tretë në Kampionatin Evropian të xhudos nga Akil Gjakova, Kosova është ngjitur në krye të listës së shteteve më të suksesshme, me më së shumti medalje të arta të fituara nga ky kampionat, njofton Insajderi.

Kosova është bërë shteti i vetëm në Evropë me dy medalje të arta të fituara deri më tani nga Distria Krasniqi e Akil Gjakova, pas dy ditëve të para të Evropianit, ndërsa medalja tjetër, ajo e bronztë, është fituar nga Nora Gjakova.

Ky sukses është arritur me garimin e vetëm pesë garuesve (Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Akil Gjakova, Laura Fazliu, Flaka Loxha), derisa nesër do të garojë edhe xhudistja e gjashtë pjesëmarrës nga Kosova në këtë Evropian, Loriana Kuka.

Vlen të ceket se numri i medaljeve të fituara në krahasim me numrin e garuesve pjesëmarrëse për Kosovën është jashtëzakonisht i madh. Saktësisht 21 shtete të tjera kanë më shumë garues se sa Kosova në këtë garë, derisa pesë shtetet kryesore, Rusia, Portugalia, Gjermania, Spanja dhe Franca, kanë numër trefish më të madh të garuesve se sa Kosova.

Nesër (e diel) është dita e fundit e Kampionatit Evropian që po mbahet aktualisht në Lisbonë të Portugalisë, ku Kosova do të synojë medaljen e katërt nëpërmjet Loriana Kukës. /Insajderi.com