Superliga e Kosovës në futboll, gjatë ditës së diele vazhdon me javën e 29-të kampionale, ku në program ka dy ndeshje, njofton Insajderi.
Çiftet e së dielës janë mes ekipeve pretendente për titull dhe skuadrave që ndodhen nga mesi i tabelës. Në Drenas, Feronikeli pret Ballkanin, ndërsa në takimin e tjetër në Mitrovicë, Trepça ’89 pret kampionin aktual Dritën. Të dyja ndeshjet fillojnë nga ora 15:00.
Në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, Feronikeli është nikoqir i mysafirëve të Ballkanit, ku pritet të zhvillohet një ndeshje e baraspeshuar, pasi ekipi nga Drenasi ndodhet në vendin e shtatë me 34 pikë, ku vetëm shtatë pikë ndodhet larg zonës së rrezikshme që shpie në Ligën e Parë.
Në anën tjetër, Ballkani në këtë takim vjen pas fitores së arritur në shtëpi kundër Besës. Aktualisht ekipi nga Suhareka ndodhet në vendin e tretë me 58 pikë, me një fitore eventuale do të kalonte në vendin e dytë me një pikë më shumë se Prishtina.
Sfida tjetër që zhvillohet në stadiumin “Riza Lushta”, Trepça ’89 pret kampionët e Dritës, ku favorit në këtë përballje është ekipi gjilanas, pasi ndodhen në krye të klasifikimit me 61 pikë, ndërsa ekipi nga Mitrovica ndodhet në vendin e gjashtë me 35 pikë. /Insajderi.com