Gashi: S’pajtohemi me deklaratën e ministres Haxhiu se Kosova ka tarifat më të larta të përmbarimit në rajon

Gashi: S’pajtohemi me deklaratën e ministres Haxhiu se Kosova ka tarifat më të larta të përmbarimit në rajon

Kryetari i Odës së Përmbaruesve Privat të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se nuk pajtohet me deklaratën e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se tarifat e përmbaruesve në vend janë më të lartat në rajon, transmeton Insajderi.

Gashi ka thënë se e respekton mendimin e ministres Haxhiu, por për dallim nga ajo mendon se tarifat e përmbaruesit në Kosovë janë në rregull, madje disa prej tyre i cilëson edhe si shumë të ulta.

Ai ka treguar së në takimin e mbajtur me ministren Haxhiu, është diskutuar për temat që lidhen me përmbarimin dhe Ligjin për procedurën përmbarimore.

“Në kuadër të temave i kemi diskutuar edhe tarifat e përmbarimit. Sa i përket kësaj ajo është qëndrim i ministres Haxhiu, ne e respektojmë atë, por për dallim prej ministres ne mendojmë se tarifat e përmbarimit janë në rregulla e disa shumë të ulta”, ka thënë Gashi për EO.

Ministrja Haxhiu gjatë takimit me OPK-së, tha se duhet të bëhet ndryshimi i ligjit për procedurën përmbarimore si dhe rishqyrtimi i tarifave të përmbaruesve.

Kryetari i kësaj ode tha se së pari duhet të bëhet një analizë më e gjerë financiare dhe ligjore për çështjen e tarifave të përmbaruesve, për të parë se si qëndron situata në këtë sektor.

Ai tutje shtoi se Kosova ka tarifën më të ulët në rajon duke ditur kompetencat dhe përgjithësitë e përmbarueseve në secilin shtet të rajoni.

“Ka shtete të rajonit që përmbarimi fillimisht lejohet nga gjykata, pra përmbaruesi nuk e merr përgjegjësi për lejimin e përmbarimit sikur është rasti në Shqipëri, eventualisht aty dihet se tarifa do të jetë më e ultë, pasi përmbaruesi nuk e merr përgjegjësi për lejimin e përmbarimit pasi atë punë e kryen gjykata”, shtoi ai.

Gashi ka thënë se Oda e Përmbaruesve Privat ka bashkëpunuar me institucionet e vendit duke krijuar lehtësira për shumë kategori në vend, ndërsa janë vetë ata nuk janë përfshirë në pakon e rimëkëmbjes të miratuar nga Qeveria vitin e kaluar.

“Gjatë periudhës së pandemisë kemi pasur bashkëpunim shumë të mirë me të gjitha institucionet e vendit, por më shumë me Ministrinë e Drejtësisë. Ne kemi marr qëndrim vitin e kaluar si Odë, që pagat dhe pensionet të lirohen nga debitimi për muajt mars, prill dhe maj. Besoj që kjo u ka ndihmuar qytetarëve. Ngjashëm ne si Odë kemi marr vendim që 10 për qind i Trustit të mos debitohet për lëndët e përmbarimore, edhe kjo besoj që ka qenë në dobi të qytetarëve”, ka thënë kryetari i OPK-së. /Insajderi.com