Rusia njoftoi dëbimin e 10 diplomatëve amerikanë, transmeton Insajderi.
Në një deklaratë, Ministria e Jashtme ruse tha se një notë diplomatike me listën e diplomatëve të shpallur persona të padëshiruar i ishte dorëzuar zëvendësshefit të Ambasadës së SHBA-së në Moskë, raporton Anadolu Agency (AA).
Diplomatët kanë afat një muaj për ta lëshuar Rusinë, deri në fund të 21 majit 2021, tha Ministria.
“Kjo masë është një përgjigje ‘pasqyrë’ ndaj veprimeve armiqësore të palës amerikane kundër një numri të punonjësve të Ambasadës Ruse në Washington dhe Konsullatës së Përgjithshme Ruse në New York, të cilët u deklaruan pa arsye ‘persona non grata'”, thuhet më tej në deklaratë.
Ministria premtoi se do të njoftojë “masa të mëtejshme përgjigjëse ndaj valës së fundit të sanksioneve të paligjshme të SHBA-së kundër Rusisë”.
Më 15 prill, Washingtoni njoftoi sanksione të reja kundër Moskës, dy ditë pasi zyrtarët amerikanë sugjeruan që udhëheqësit e të dy vendeve mund të zhvillonin një takim.
Sanksionet e fundit përfshinin dëbimin e dhjetë diplomatëve që punonin në Ambasadën e Rusisë në Uashington dhe ndalimin e kompanive amerikane nga blerja direkte e bonove ruse të lëshuara pas 14 qershorit 2021 nga Banka Qendrore e vendit, Fondi Kombëtar i Mirëqenies ose Ministria e Financave.
Gjashtëmbëdhjetë individë dhe 16 organizata u goditën me masa kufizuese për ndërhyrjen e tyre të pretenduar në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së.
Sanksione shtesë mbi pretendime se Rusia inkurajoi sulmet talibane kundër ushtarëve amerikanë në Afganistan “u trajtuan përmes kanaleve diplomatike, ushtarake dhe të inteligjencës”, për shkak të “ndjeshmërisë së kësaj çështjeje”, sipas një deklarate në internet të botuar nga Shtëpia e Bardhë. /Insajderi.com