Gastronomët e pakënaqur me ndarjen e mjeteve financiare të Rimëkëmbjes Ekonomike

Gastronomët e pakënaqur me ndarjen e mjeteve financiare të Rimëkëmbjes Ekonomike

Kryetari i Shoqatës së Gastronomeve të Kosovës, Petrit Kllokoqi, ka thënë janë kundër subvencionimit kolektiv të bizneseve dhe se sipas tij, ato duhet të vlerësohen në bazë të përformancës se sa kanë qenë të hapura gjatë pandemisë, njofton Insajderi.

Kllokoqi ka shkruar në Facebook se nuk duhet të paguhen njësoj bizneset që gjatë pandemisë kanë qenë të hapura me ato të mbyllura.

“Klubin tim ‘Zone Club’, e kam mbyllë që 430 ditë me Vendim të Qeverisë. Do të thotë si unë që kam qenë mbyllë totalisht, si një barnatore që ka pasur përformancë shumë të mirë, njëjtë kemi përfituar, MARRE!!!”, ka thënë Kllokoqi.

Ai tutje ka thënë se interesi i bankave për ta paguar kredinë është rritur si dhe qiragjinjtë po kërkojnë qiranë pavarësisht se bizneset kanë qenë të mbyllura.

“Bankat po na bëjnë presion me i pagua këstet edhe pse nuk jemi duke punur, e interesi vetëm se është rritë. Qiragjinjtë po e kërkojnë qiranë, këndej biznesi është jofunksional edhe në fund e sheh që dikush që ka qenë fitim gjatë pandemisë, përfiton në Pako Emergjente. Kjo është njëjtë sikurse vaksinimi me fillua prej fëmijëve në shkolla fillore…”, ka shkruar Kllokoqi.

Ditë me parë, Ministri i Financave, Punës dhe Transferve, Hekuran Murati, ka publikuar listën e 50 bizneseve që kanë përfituar më së shumti nga Pakoja Emergjente, e hartuar nga Qeveria e Kosovës që atë kohë udhëhiqej nga Avdullah Hoti dhe e cila u shpërnda në tetor të vitit 2020.

Ajo kishte shpërndarë 60 milionë euro për ‘bizneset e dëmtuara’, ndonëse një pjesë e tyre kishin operuar edhe gjatë kohës së pandemisë./Insajderi