Një sulmues u qëllua për vdekje pasi goditi për vdekje një oficere policie me thikë brenda një stacioni policie në periferi të Parisit të premten pasdite, transmeton Insajderi.
Motivi i sulmit ende nuk është zbuluar, megjithatë, autoritetet franceze po e trajtojnë vrasjen si sulm terrorist. Hetimet për sulmin i ka marrë policia kombëtare e antiterrorizmit, raporton raporton Anadolu Agency (AA).
Policia ka ndaluar tre bashkëpunëtorë, të cilët thuhet se ishin pjesë e grupit të sulmuesit.
Presidenti Emmanuel Macron nuk i kurseu fjalët për ta quajtur sulmin si një akt të terrorit islamik.
“Në luftën kundër terrorizmit islamik, ne nuk do të dorëzohemi”, shkroi ai në Twitter.
Ai zbuloi emrin e viktimës si Stephanie, e cila u vra “në vendin tashmë të dëmtuar Yvelines”. Kombi është në krah të familjes së saj, kolegëve dhe policisë, tha ai.
Sipas zyrës së prokurorit të Versajës, cituar në lajmet e “Le Parisien”, sulmi ndodhi rreth orës 14:30, ndërsa shtetasi tunizian 36-vjeçar hyri në stacionin e policisë Rambouillet dhe goditi me thikë në fyt policen 49-vjeçare.
Zyrtarë të tjerë të policisë hapën zjarr, duke vrarë sulmuesin.
Oficerja femër, nënë e dy fëmijëve adoleshentë, pësoi dëmtime të rënda në arterien karotide dhe iu nënshtrua plagëve të marra.
“Le Parisien” raportoi se sulmuesi besohet të ketë mbërritur në Francë në vitin 2009 dhe është i panjohur për policinë dhe inteligjencën.
Ekipi kombëtar i antiterrorit do të shqyrtojë rrjedhën e ngjarjeve, identitetin e viktimës, sulmuesin dhe deklaratat e bëra prej tij në kohën e sulmit, citoi BFMTV prokurorin publik të antiterrorit Jean-Francois Ricard.
Kryeministri francez Jean Castex rikujtoi departamentin Yvelines të rajonit Ile-de-France në periferi të Parisit si një vend i sulmeve të ngjashme, së fundmi vrasja e mësuesit Samuel Paty në tetor 2020 dhe para kësaj sulmi me thikë i Magnanville më 2016 i pretenduar nga grupi terrorist DEASH kundër dy zyrtarëve të policisë dhe një civili.
Duke folur nga vendi i sulmit, Castex tha: “Vendosmëria jonë për të luftuar terrorizmin në të gjitha format e saj është më shumë se kurrë e pandryshuar”.
Duke shprehur mbështetjen e tij për forcat e sigurisë, ai tha: “Republika sapo ka humbur një nga heroinat e saj, në një gjest barbar të një frikacaku të madh”.
Ndërkohë, liderja e ekstremit të djathtë opozitar Marine Le Pen shfrytëzoi rastin për të përdorur goditjen me thikë për të sulmuar imigrantët.
“Duhet të ndalojmë rregullimin e imigrantëve të paligjshëm. Kur një burrë hyn në shtëpinë tonë duke shkelur ligjin francez duke qenë në një situatë të parregullt, mundësia e rregullimit të tyre duhet të hiqet nga ligji”, u shpreh ajo në Twitter.
Ky është sulmi i dytë me thikë që ndodh kundër zyrtarëve publikë javët e fundit. Në shkurt, një zyrtar në qendrën e pritjes për azilkërkuesit në Francën jugperëndimore u vra me thikë për vdekje nga një azilkërkues, siç raportohet, pas refuzimit të statusit të tij të refugjatit. /Insajderi.com