Ballkani mposht minimalisht Gjilanin në Suharekë

Ballkani mposht minimalisht Gjilanin në Suharekë

Ballkani ka shënuar fitore minimale por shumë të rëndësishme në luftën për titull, duke mposhtur ekipin e Gjilanit me shifrat 1:0, në ndeshjen e vlefshme për javën e 30-të në Superligë, njofton Insajderi.

Takimi më mirë e filluan nikoqirët, duke rrezikuar disa herë portierin mysafir, mirëpo Koliqi ishte në nivelin e duhur, duke shpëtuar gol të sigurt te rasti i Jashanicës. Me rezultat 0:0 u mbyll pjesa e parë e ndeshjes, ndërsa në pjesën e dytë u shënuan goli i vetëm në këtë sfidë.

Pas 10 minutash lojë në pjesën e dytë, Gripshi rrezikoi përsëri për nikoqirët, mirëpo pa arritur të shënonte. Po zhvillohej minuta e 71-të e ndeshjes, kur Mevlan Zeka arriti të kalonte në epërsi ekipin nga Suhareka, që doli në fund të ishte gol i tre pikëve, pasi deri në fund skuadrat nuk arritën të shënonin.

Më këto tre pikë, Ballkani dhe Drita ndajnë pozitën e parë në tabelë me 64 pikë, ndërsa Gjilani mbetet në vendin e katërt në ligë me 43 sosh. /Insajderi.com