Katër ushtarë të Venezuelës u vranë përgjatë kufirit nga një grup kriminal kolumbian

Katër ushtarë të Venezuelës u vranë përgjatë kufirit nga një grup kriminal kolumbian

Katër ushtarë të Venezuelës u vranë dhe tetë të tjerë u plagosën gjatë operacioneve përgjatë kufirit kundër një grupi kriminal kolumbian, transmeton Insajderi.

Sipas mediave lokale, ushtarët u zunë pritë në një zonë në kufi me shtetin Apure të Venezuelës, ku Forcat e Armatosura të Venezuelës po kryejnë operacione kundër ish-anëtarëve të Forcave Revolucionare të Armatosura të Kolumbisë (FARC) dhe grupeve të armatosura ilegale, raporton Anadolu Agency (AA).

Derisa asnjë njoftim zyrtar nuk është bërë deri më tani nga autoritetet venezueliane në lidhje me sulmin, ish-disidentët e FARC-ut pretendohet se kanë ngritur pritën.

Në një njoftim, Ministria e Mbrojtjes së Venezuelës tha se operacionet kanë për qëllim eliminimin e grupeve të armatosura ilegale në rajon.

Në fillim të prillit, tetë ushtarë venezuelianë humbën jetën dhe 34 të tjerë u plagosën gjatë operacioneve përgjatë kufirit kundër një grupi kriminal kolumbian.

Po ashtu, dy ushtarë venezuelianë humbën jetën dhe nëntë të tjerë u plagosën kur një minë shpërtheu gjatë operacioneve kundër grupeve të armatosura përgjatë kufirit kolumbian.

Si rezultat i këtyre konfrontimeve, mbi 7.000 venezuelas janë larguar nga zona, duke kaluar kufirin me Kolumbinë. /Insajderi.com