UEFA do të mbyllë llogaritë e saj në Facebook, Twitter dhe Instagram për tri ditë në mënyrë që të protestojë ndaj abuzimit kibernetik dhe retorikës diskriminuese në mediat sociale, njofton Insajderi.
Në një deklaratë nga UEFA thuhet se bojkoti i filluar nga klubet angleze të futbollit do të mbështetet dhe llogaritë e mediave sociale do të mbyllen.
Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, ka theksuar se ngacmimet dhe gjuha diskriminuese në internet janë të papranueshme.
Duke deklaruar se duhet të merren masa për të ndaluar përhapjen e këtij krimi, Ceferin është shprehur:
“Lojtari, trajneri, arbitri ose zyrtari që është viktimë e këtyre postimeve ose mesazheve të papranueshme, i nxis të gjithë të paraqesin ankesë zyrtare. Ne kemi shumë prej këtyre frikacakëve që fshihen pas profileve të tyre anonime për të zbuluar ideologjitë e tyre të dëmshme”.
Bojkoti ndaj rrjeteve sociale do të fillojë në orën 15:00 me kohën lokale në Angli më 30 prill dhe do të përfundojë më 3 maj në orën 23:59.
Komuniteti i futbollit anglez së pari njoftoi kërkesat e tij në një letër të publikuar në shkurt, duke deklaruar se postimet fyese në mediat sociale duhet të filtrohen, bllokohen dhe hiqen shpejt dhe duhet të bëhet një proces i përmirësuar i verifikimit për regjistrimet e reja. Në ditët e kaluara, Federata Angleze e Futbollit njoftoi se bojkoti i mediave sociale do të mbahet në datat e përmendura. /Insajderi.com