Kosova bën pesë vite nga anëtarësimi në UEFA teksa u pranua me të drejta të plota. Në këtë datë historike për futbollin në Kosovë ka reaguar edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Ky i fundit ka veçuar kontributin e dhënë nga FSHF-ja në këtë arritje, njofton Insajderi.
“Sot është një datë historike për futbollin kosovar dhe Federatën e Futbollit të Kosovës. Pesë vite më parë Kosova u pranua si anëtare me të drejta të plota në UEFA gjatë Kongresit të 40-të, duke shënuar kështu një arritje të madhe në arenën ndërkombëtare. Dua të shpreh urimet më të sinqerta për FFK-në, presidentin Agim Ademi dhe të gjithë aktorët e futbollit në Kosovë në këtë përvjetor të pestë. Ndihem mirë teksa shoh që futbolli kosovar ka bërë hapa të mëdha përpara, duke u rritur dhe duke u përfaqësuar gjithmonë e më mirë edhe ndërkombëtarisht”, tha fillimisht kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit.
“Federata Shqiptare e Futbollit është krenare për kontributin që ka dhënë në këtë proces historik dhe do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me vëllezërit tanë të FFK për të çuar përpara projekte të mëdha në të mirë të futbollit. Falënderim e mirënjohje përjetë edhe për ish-presidentin e ndjerë të FFK-së, legjendën Fadil Vokrri, pa kontributin e të cilit kjo ngjarje historike do të ishte e pamundur. Urime edhe një herë Federatës së Futbollit të Kosovës në këtë ditë të shënuar”, ka shkruar Duka. /Insajderi.com