Një grua e re nga Mali solli në jetë në mënyrë të sigurt nëntë foshnje në të njëjtën kohë në një spital në Marok të martën, transmeton Insajderi.
Halima Cisse, 25 vjeçe nga vendi i Afrikës Perëndimore shkroi emrin e saj në histori si nënë e nëntënjakëve, 5 vajza dhe 4 djem. Ajo dhe foshnjat “janë në gjendje të mirë” thuhet në deklaratën me shkrim të Ministrisë së Shëndetësisë së Malit, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas vlerësimit të mjekëve si në Mali ashtu edhe në Marok, Cisse fillimisht pritej të kishte shtatënjakë, por me prerje cezariane lindi nëntënjakë, duke befasuar mjekët, të cilët nuk kishin vërejtur dy foshnja të tjera gjatë kontrollit me ultrazë.
Pas qëndrimit dy-javor në një spital në kryeqytetin e Malit, Bamako, mjekët kërkuan kujdes special për rastin e rrallë të Cisse.
Me udhëzimin e Bah Ndaw, presidentit të përkohshëm të qeverisë kalimtare të Malit, autoritetet urdhëruan dërgimin e saj në Marok, ku u shtrua në një klinikë për trajtim më 30 mars, thuhet në deklaratën e ministrisë.
Nëntënjakët janë jashtëzakonisht të rrallë në praktikën mjekësore dhe nganjëherë disa nga të sapolindurit mund të mos mbijetojnë. /Insajderi.com