Zyrtarizimi i Mourinhos si trajner i Romës shkaktoi një ‘tërmet’ të vërtetë në futbollin italian dhe më gjerë, njofton Insajderi.
Pasi njoftoi lamtumirën e portugezit Paulo Fonseca në fund të sezonit, klubi kryeqytetas, disa orë më pas doli me një shënim, që njoftonte mbërritjen e “Special One” në stolin e tij, duke filluar prej sezonit të ardhshëm. Një aventurë e re në Itali për atë që kishte fituar praktikisht gjithçka me Interin midis viteve 2008 dhe 2010.
Rivaliteti me Antonio Conte, “armik” prej kohësh dhe fitues i ri i titullit në Serie A me ‘zikaltrit’, rikthehet më antagonist se kurrë.
Trajneri i Interit, i intervistuar nga “Le Iene”, donte ta mirëpriste Mourinhon, duke komentuar kështu lajmin e pabesueshëm të mbërritjes së portugezit te Roma dhe në futbollin italian: “Kthimi i Mourinho në Itali është një lajm i mrekullueshëm për të gjithë. Unë i uroj më të mirën, përveç kur të luajë kundër Interit. Nëse përqafohemi përsëri? Sigurisht, ka një respekt të madh mes nesh, por kur ka konkurrencë vlen ‘vdekja juaj ose jeta ime’ (jetë a vdekje). Ne nuk do t’ia kursejmë njëri-tjetrit goditjet”. /Insajderi.com