Tottenham Hotspur ka pësuar disfatën e parë nën drejtimin e teknikut Ryan Mason, teksa është mposhtur në javën e 35-të në Premier League nga ekipi i Leeds United me shifrat 3:1, njofton Insajderi.
Fillimisht kaluan në epërsi nikoqirët me golin e Dallas, i cili realizoi në minutën e 13-të të sfidës. Por me golin e hershëm të vendasve nuk u demoralizuan mysafirët, të cilët barazuan rezultatin në minutën e 25-të me sulmuesin koreano-jugor, Heung Min-Son.
Deri në fund të pjesës së parë, nikoqirët rikthyen epërsinë kur Patrick Bamford shënoi për 2:1, pasi u asistua nga Ezgjan Alioski, e gjitha kjo ndodhi tre minuta para se ekipet t’i drejtohen dhomave të zhveshjes.
Në fraksionin e dytë të ndeshjes, miqtë u hodhën me të gjitha forcat në sulm, për të barazuar rezultatin, mirëpo, kur pritej që mysafirët të barazonin sërish, në skenë doli Rodrigo që shënoi golin e sigurisë për ekipin e argjentinasit Bielsa.
Me këto tre pikë, Leeds ngjitet në vendin e nëntë në kuotën e 50 pikëve, teksa me këtë disfate londinezët praktikisht kanë humbur gjasat për zonën Champions, pasi ndodhen në vendin e gjashtë në tabelë në kuotën e 56 pikëve, pesë më pak se Chelsea i vendit të katër, por ekipi i Tuchel ka një ndeshje më pak të zhvilluar. /Insajderi.com