Presidenti kolumbian takohet me opozitën në lidhje me protestat që po zhvillohen në vendin amerikano-latin

Presidenti kolumbian takohet me opozitën në lidhje me protestat që po zhvillohen në vendin amerikano-latin

Presidenti i Kolumbisë, Ivan Duque është takuar me liderët opozitarë lidhur me protestat kundër qeverisë që vazhdojnë në vend që nga 28 prilli, transmeton Insajderi.

Në takimin e zhvilluar në rezidencën presidenciale “Casa de Narino” në kryeqytetin Bogota është diskutuar për protestat, rendin publik dhe qëndrimin e forcave të sigurisë ndaj protestuesve, raporton Anadolu Agency (AA).

Duque tha se janë të gatshëm të bisedojnë me përfaqësues nga çdo shtresë. “Jemi të gatshëm për dialog me të gjithë ata që marrin pjesë apo jo në protesta. Kemi ftuar komitetin kombëtar të grevës për të diskutuar problemet. Sot u ulëm me liderët opozitarë dhe dëgjuam propozimet për zgjidhje”, tha ai.

Humberto de la Calle, kandidati në zgjedhjet e mëparshme presidenciale, në një deklaratë për gazetarët tha se kanë bërë një dialog konkret dhe efektiv me presidentin. Ai shtoi se “Qeveria duhet të ulet të bisedojë me sektorët e tjerë dhe komitetin kombëtar të grevës dhe të përpunojë kërkesat e tyre”.

Përfaqësuesit e opozitës në takim me presidentin theksuan se është e papranueshme dhuna që policia ushtron gjatë ndërhyrjes së saj ndaj protestuesve.

Ministri i Punës i Kolumbisë, Angel Custodio Cabrera dje tha se qeveria është e gatshme të dialogojë përpara datës së parashikuar me përfaqësuesit e Komitetit Kombëtar të Grevës.

Numri i të vdekurve u rrit në 26

Zyra e Ombudsmanit në Kolumbi njoftoi se nga 24 është rritur në 26 numri i personave që kanë humbur jetën në protestat kundër reformave të taksës që filluan me grevë të përgjithshme më 28 prill.

Nga denoncimet e bëra për 145 persona të zhdukur janë gjetur 55 prej tyre dhe vazhdojnë kërkimet për 90 të tjerë. /Insajderi.com