Të paktën 11 persona, përfshirë edhe fëmijë, janë vrarë pas të shtënave me armë zjarri në një shkollë në qytetin Kazan të Rusisë, transmeton Insajderi.
Dy persona të armatosur thuhet se hapën zjarr brenda shkollës e cila gjendet 820 km në lindje të Moskës.
Raportet fillimisht thanë se ishin dy persona të armatosur, njëri prej të cilëve ishte vrarë. Por, zyrtarët më vonë thanë se kishte vetëm një të dyshuar, shkruan ‘BBC’.
Presidenti i Tatarstanit, Rustam Minnikhanov e përshkroi këtë ngjarje si një katastrofë dhe tragjedi.
Ai u tha gazetarëve se 12 fëmijë dhe katër të rritur po trajtohen në spital.
“Terroristi është arrestuar. Ai është 19-vjeçar si dhe është pronar i regjistruar i armës së zjarrit,” tha ai.
Pamjet e shpërndara në mediat sociale treguan disa fëmijë që hidheshin nga dritaret për të shpëtuar, si dhe njerëzit e plagosur po evakuoheshin.
Policia ka hapur hetimet, por ende nuk është përcaktuar ndonjë motiv në lidhje me ngjarjen./Insajderi.com