Muriqi në një intervistë flet për aventurën në Itali dhe planet për të ardhmen

Muriqi në një intervistë flet për aventurën në Itali dhe planet për të ardhmen

Vedat Muriqi bëri një hap të madh në karrierë, teksa në merkaton e verës së kaluar, u transferua nga Fenerbahçe te Lazio. Aventura e sulmuesit të Kosovës te kryeqytetasit nuk ka qenë shumë e mirë, ndërsa ka hasur vështirësi në përshtatje, duke ditur se është aventura e tij e parë në një kampionat kaq të fortë sa Seria A, njofton Insajderi.

Në një intervistë të dhënë së fundmi për “Dueli Sportiv” në Kosovë, Muriqi ka thënë se do të vazhdojë të jetë pjesë e Lazios, pavarësisht zërave në media, që thonë se do të largohet. Gjithashtu ai ka zbuluar edhe një bisedë interesante me drejtorin e Lazios, Igli Tare.

“Fillimi ishte problematik, pasi e nisa me dy lëndime, pastaj me COVID-19, por shpresoj që të jem gati për vitin e ardhshëm. Faktikisht në futbollin modern, duhet fuqi dhe vrapime, por edhe taktik. Sa i përket Italisë dhe Turqisë, ka një dallim shumë të madh, sepse në Turqi kishte kohë për të pushuar, kishte ndërprerje më shumë, pastaj edhe VAR merrte kohë më shumë, ndërsa këtu në Itali është shumë loja më e shpejtë edhe taktikisht shumë, shumë me tepër e fortë. Nuk ka shumë vonesa dhe duhet të adaptohem në këtë nivel, është pak problem, por do të filloj të mësohem”, tha fillimisht Muriqi.

“Tare? Shpresoj të ia tregoj në fushë. Faktikisht si drejtor sportiv, ka presionet e veta, pasi ka investuar miliona euro. Ai ka dashur të më transferojë dhe i jam falënderues deri në fund. Ishte moment i keq, para se të transferohesha mora një dëmtim, por ai më tha edhe nëse të këputet këmba unë do të blej. Shpresoj t’ia shpërblej në fushë”.

“Largimi? Faktikisht janë spekulime. Nuk më ka kontaktuar askush, as agjenti. Unë e dija që do të ishte e vështirë. Nuk e zgjedh vetëm rrugën e lehtë, e zgjedha më të vështirë, pasi të qon te suksesi. Do të provoj sa të kem fuqi të bëjë edhe këtu”, tha Muriqi. /Insajderi.com