Dhjetë trupa të pa jetë gjenden në pronën e ish-oficerit të policisë në El Salvador

Dhjetë trupa të pa jetë gjenden në pronën e ish-oficerit të policisë në El Salvador

Trupat e varrosur të shtatë grave dhe tre fëmijëve u zbuluan në pronën e një ish-oficeri policie në El Salvador, transmeton Insajderi.

Hugo Osorio Chavez Osorio, 51 vjeç, po hetohet për dyshime për krime seksuale dhe 13 vrasje, tha zyra e prokurorit të përgjithshëm të vendit, raporton Al Jazeera.

Ai u arrestua fillimisht të shtunën e kaluar për vrasjen e një gruaje dhe vajzës së saj të rritur, për të cilën ai rrëfeu, sipas The Associated Press.

Ky arrestim erdhi pasi fqinjët në qytetin perëndimor Chalchuapa telefonuan policinë dhe raportuan se kishin dëgjuar një grua duke thirrur për ndihmë.

Zyrtarët gjetën trupat e një gruaje 57 vjeçare dhe vajzës së saj 26 vjeçare në shtëpi në një pellg gjaku me shenja të abuzimit seksual.

Hetimet çuan në gërmime në vende të ndryshme të pronës. Mes trupave të gjetur ishin një vajzë shtatë vjeçare dhe dy djem të moshës dy dhe nëntë vjeç.

Policia nuk sqaroi pse numri i vrasjeve që po hetoheshin ishte 13.

Disa nga njerëzit duket se janë vrarë rreth dy vjet më parë, tha zyra e prokurorit të përgjithshëm në Twitter.

Shtatë varre të tjerë të mundshëm në pronë janë ende duke u hetuar. Të paktën 25 persona konsiderohen të zhdukur në zonë.

Chavez Osorio ishte pushuar nga puna e tij si oficer policie në 2005 për sjellje agresive seksuale dhe kaloi pesë vjet në burg, thanë hetuesit. Bazuar në informacionin në rast, prokurorët lëshuan urdhër-arreste për nëntë të dyshuar të tjerë të cilët mund të kenë vepruar si bashkëpunëtorë në 13 vrasje, përfshirë vrasjet e tetë grave. /Insajderi.com