Duke filluar nga ora 20:45 luhet derbi i Italisë ndërmjet Romës dhe Lazios, ndeshje kjo e vlefshme për javën e 37-të të Serisë A, njofton Insajderi.
Dyja skuadrat vijnë me objektiv fitoren pasi derbi ngelet derbi pa marrë parasysh formën e skuadrave. Roma vjen pas një humbje 3-1 në shtëpinë e Interit javën e kaluar dhe trajneri Fonseca do të kërkojë të largohet me nder duke u siguruar tifozëve romak një triumf në derbi.
Roma do të kërkojë medoemos fitoren dhe për objektivin e saj të rëndësishëm, pjesëmarrjen në Ligën e Europës sezonin tjetër, teksa Sassuolo i ushtron presion me vetëm dy pikë diferencë.
Tekniku portugez ka menduar një rreshtim 4-3-3 teksa majën e sulmit e formon treshja Mkhitaryan, Dzeko dhe El Shaarawy, teksa Marash Kumbulla do ta nisë nga stoli ndeshjen.
Në krahun tjetër Lazio ka siguruar pjesëmarrjen në kupat e Europës sezonin tjetër dhe vjen pa objektiv në këtë ndeshjes, por do të bëjë gjithçka në këtë derbi për të mbajtur kokën lart para rivalëve të përjetshëm.
Nga minuta e parë do të luajë sulmuesi Vedat Muriqi teksa do të jetë në mbështetje të Ciro Immobiles. Ndërkohë Strakosha dhe Alia do ta nisin nga stoli sfidën, teksa tekniku italian ka zgjedhur Reinën para gardianit shqiptar. /Insajderi.com