Partia e Re Demokratike (NDP), e katërta më e madhe në Parlamentin Federal të Kanadasë, i kërkoi kryeministrit Justin Trudeau të ndalojë shitjen e armëve të prodhuara nga Kanadaja Izraelit derisa të përfundojë pushtimi në tokat palestineze, transmeton Insajderi.
Në fushatën e saj të nënshkrimeve publike, Partia e Re Demokratike i bëri thirrje kryeministrit Justin Trudeau të “ndalojë shitjen e armëve Izraelit derisa të përfundojë pushtimi i paligjshëm”, raporton Anadolu Agency (AA).
Kanadezët janë thellësisht të shqetësuar nga përshkallëzimi në Gaza dhe Jeruzalem dhe “nga bastisjet e policisë izraelite në Xhaminë Al-Aksa dhe dhuna në Sheikh Jarrah”, thuhet në përshkrimin e fushatës së nisur në faqen zyrtare të internetit të partisë.
Në deklaratë, e cila vuri në dukje se jeta e civilëve duhet të mbrohet, u theksua se të gjitha llojet e dhunës, nxitja e dhunës dhe provokimi, duhet të dënohen.
“Kur ka një përshkallëzim, janë gjithmonë civilët ata që paguajnë çmimin përfundimtar ose jetojnë me frikë. Tensionet duhet të ulen urgjentisht për të parandaluar humbjen e mëtejshme të jetëve. Palestinezët dhe izraelitët kanë të drejtë të jetojnë në siguri. Kanadaja duhet të luajë rol më të fortë për uljen e tensionit dhe për një zgjidhje të drejtë dhe paqësore. Për Kanadanë, e cila në të kaluarën ndaloi shitjen e armëve në vende si Arabia Saudite, Libia, Turqia dhe Sudani, tani është koha për të ndaluar shitjen e armëve Izraelit derisa okupimi i paligjshëm të marrë fund”, tha partia.
Partia e Re Demokratike ka 24 ligjvënës në Parlamentin Federal të Kanadasë me 338 ulëse. /Insajderi.com