Formacionet e takimeve të javës së fundit në Serie A, vëmendja te sfida Atalanta vs Milan

Formacionet e takimeve të javës së fundit në Serie A, vëmendja te sfida Atalanta vs Milan

Duke filluar nga ora 20:45 do të luhen gjashtë ndeshjet e fundit të Serisë A për këtë sezon, teksa sytë e të gjithë tifozëve janë nga Juventusi, Milani dhe Napoli, njofton Insajderi.

Këtë sezon në Serinë A, gara për një vend në Ligën e Kampionëve u bë mjaft e luftuar duke bërë që tre ekipe të mos dorëzohen deri në fund. Vëmendja më e madhe do të jetë në sfidat Bologna-Juventus dhe Atalanta-Milan.

Kuqezinjtë e nisën mjaft mirë sezonin duke kryesuar kampionatin deri në mesin e tij, por më pas filloi rënia e lirë dhe mbrëmjen e sotme, Milani do të ketë provën e vërtetë për të treguar që kuqezinjtë mund të rikthehen drejt sukseseve. Do të jetë një përballje e vështirë përballë një Atalante e cila e ka siguruar zonën Champions, por luan për arsye financiar pasi diferenca nga vendi i dytë në vendin e katër vlen pesë milionë euro.

Pioli nuk do të ketë të gatshëm për sfidën ndaj zikaltërve sulmuesin Zlatan Ibrahimoviç, por pritet që tekniku italian mos të privohet nga kjo mungesë dhe të hedhë një ekip tërësisht sulmues në sfidën ndaj Atalantës. Në krahun tjetër, Gasperini kërkon që të konfirmojë skuadrën e tij pas humbjes së finales së Kupës, dhe do tentojë të marrë një rezultat pozitiv përballë Milanit për të mbajtur vendin e dytë në renditje.

Në krahun tjetër, Juventusi do të luajë në transfertë përballë Bolognës, teksa nuk kanë munguar dhe provokimet nga tekniku i vendasve, Sinisa Mihajloviç, i cili u shpreh se kishte parë në ëndërr që arbitri kishte akorduar një 11-metërsh në favor të bardhezinjve. Do të jetë një test i vështirë ky për “Zonjën e Vjetër”, e cila dhe në rast fitoreje nuk do të jetë në dorën e tyre kualifikimi në zonën Champions, pasi në rast të triumfit të Milanit dhe Napolit, bardhezinjtë mbeten jashtë. Përballja pritet e luftuar dhe mjaft interesante, ku mund të ketë dhe surpriza. Trajneri Pirlo i ka surprizuar të gjithë, teksa për këtë ndeshje e ka nisur me Ronaldon nga stoli.

Ndërkohë Napoli duket skuadra më e favorizuar në letër, pasi skuadra e Gattusos do të luajë në shtëpi përballë Veronën pa objektiva. Napoli nuk varet nga rezultati i asnjë prej kundërshtarëve, mjafton të bëjë detyrën e saj dhe të sigurojë kualifikimin në Ligën e Kampionëve.

Në sfidat e tjera, Lazio do të luajë transfertë përballë Sassuolos, ndërsa Torino dhe Benevento do të luajnë për statistika pasi verdhekuqtë kanë rënë matematikisht në Serinë B. Ndeshje interesante pritet dhe ajo midis Spezias dhe Romës, teksa do të përballen dy mbrojtësit e Kombëtares shqiptare, Ardian Ismajli dhe Marash Kumbulla. /Insajderi.com