Milan rikthehet në Champions, Napoli mbetet jashtë – ndeshjet e fundit në Serie A

Milan rikthehet në Champions, Napoli mbetet jashtë – ndeshjet e fundit në Serie A

Janë luajtur ditën e sotme ndeshjet e fundit të Serisë A për këtë sezon, ku janë dhënë edhe verdiktet përfundimtare, njofton Insajderi.

Milani rikthehet në Ligën e Kampionëve pas shtatë viteve mungesë. Pritjes së tifozëve kuqezinj për të parë skuadrën e tyre në kompeticionin ku ka bërë histori i ka ardhur fundi. “Djalli” ka mposhtur minimalisht Atalantën ditën e sotme, falë një goli të Kessie në minutën e 41 me penallti, avantazh ky të cilin Milani e ruajti deri në fundin e takimit, duke marrë një fitore të madhe, e cila i ngjit në vendin e dytë.

Kualifikimin në Ligën e Kampionëve e ka arritur edhe Juventusi, që ka triumfuar ndaj Bolognës në transfertë me rezultatin 1-4. Bardhezinjtë kanë përfituar nga ndalesa e Napolit, për të siguruar zyrtarisht kualifikimin në Champions, në vendin e tretë.

Ndërkohë Napoli mbetet jashtë, pasi barazoi në shtëpi me Hellas Veronën, duke shkuar në kuotën e 77 pikëve, një më pak se Juvja dhe Atalanta që ndajnë vendin e tretë dhe të katërt.

Lazio dhe Napoli luajnë në Europa Ligë për sezonin tjetër, ndërsa Roma në Konferencë Ligë. /Insajderi.com