Kategoria Superiore: Teuta shpallet kampione pas 27 vitesh

Kategoria Superiore: Teuta shpallet kampione pas 27 vitesh

Sot Kategoria Superiore në Shqipëri ka mbyllur kampionatin, teksa vetëm në javën e fundit është përcaktuar ekipi kampion e megjithatë në fund ajo që ia ka dalë ka qenë Teuta, njofton Insajderi.

Apolonia ka qenë e pafuqishme përballë durrsakëve, të cilët kanë qenë më të motivuar se kurrë duke shënuar pesë herë në portën kundërshtare.

Dejvi Bregu ka treguar se është një lojtar që di të bëjë diferencën dhe me tre golat e tij ka qenë vendimtar për ti dhënë titullin Teutës. Ndërkohë në krahun tjetër Vllaznia ka bërë detyrën duke mposhtur Laçin me shifrat 2-0, por një golavarazh i tillë është i pamjaftueshëm për ti marrë kreun ekipit të Martinit, pavarësisht pikëve të barabarta. Për më tepër përballë ka pasur një skuadër si ajo e kurbinasve, së cilës nuk është aspak e lehtë t’i shënosh. Gjithsesi me paraqitjet e shkëlqyera të bëra këtë sezon, Vllaznia është fitues moral në këtë kampionat, ku nga një ekip që luftonte për mbijetesë përfundon në pikë të barabarta me vendin e parë.

Sa i përket Partizanit, të kuqtë kanë marrë një fitore 2-4 në minutat e fundit me Bylisin, që me këtë humbje nuk mund të shpëtojë veten nga rënia në Kategorinë e Parë. Kastrioti ka triumfuar kundër Kukësit dhe e mbyll sezonin në vendin e tetë, ku do të përballet në play-out me Tomorin për të vendosur se cili do të jetë pjesë e Superiores në edicionin e ri. /Insajderi.com