Dhjetëra njerëz dyshohet se kanë vdekur në veri-perëndim të Nigerisë, pasi një anije me të cilën po lundronin rreth 200 persona është prishur dhe është fundosur në një lum, kanë njoftuar zyrtarët nigerianë, raporton BBC.
Shumica e udhëtarëve ishin gra dhe fëmijë që udhëtonin nga shteti Niger në shtetin fqinj Kebbi.
Të paktën 20 njerëz thuhet se janë shpëtuar, ndërsa autoritetet fajësojnë mbingarkesën për aksidentin që ndodhi të mërkurën.
Zhytësit dhe punonjësit e emergjencës po përpiqeshin të shpëtonin tjerët në lumin Niger.
Presidenti i Nigerisë, Muhammadu Buhari e përshkroi aksidentin si “shkatërrues”, duke u shprehur ngushëllime familjeve të viktimave.
“Vetëm 20 persona janë shpëtuar, katër janë konfirmuar të vdekur, ndërsa 156 ende mungojnë dhe besojnë se janë nën ujë”, ka thënë Yusuf Birma, i Autoritetit Nacional të Ujërave në Nigeri.
Aksidentet me varka përgjatë lumit Niger janë të zakonshme për shkak të mbipopullimit si një shkak kryesor, si dhe përplasjet me trungjet e pemëve nën ujë./Insajderi.com