Danimarka ndihmoi SHBA-në të spiunojë Angela Merkelin e politikanë të tjerë evropianë

Danimarka ndihmoi SHBA-në të spiunojë Angela Merkelin e politikanë të tjerë evropianë

Transmetuesi danez ‘Danmarks Radio’ tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë lidhur partneritet me inteligjencën daneze për të spiunuar zyrtarët e lartë evropianë, duke përfshirë edhe kancelaren gjermane, Angela Merkel, përcjell Insajderi.

Sipas këtij transmetuesi publik, SHBA-të përdorën një partneritet me njësinë e inteligjencës së jashtme të Danimarkës për të spiunuar udhëheqësit evropianë.

Këto gjetje janë rezultat i një hetimi të brendshëm të kryer nga Shërbimi Informativ Danez i Mbrojtjes (FE) në vitin 2014 dhe 2015, tha D.R në një raport të dielën, duke theksuar nëntë burime pa emër të cilët kishin qasje në informacionin e klasifikuar.

Sipas hetimit, Agjencia e Sigurisë Kombëtare e SHBA-së përdori një bashkëpunim me FE për të përgjuar kabllot daneze të informacionit për të spiunuar zyrtarë të lartë në Suedi, Norvegji, Francë dhe Gjermani nga viti 2012 deri në 2014.

D.R deklaroi se përveç Merkel, NSA gjithashtu spiunoi Ministrin e Jashtë gjerman të atëhershëm, Frank-Walter Steinmeier dhe ish-udhëheqësin e opozitës gjermane, Peer Steinbruck.

Hetimi zbuloi se NSA kishte qasje në rrjedha të gjera të të dhënave që kalojnë përmes kabllove të internetit nga Danimarka dhe përgjoi gjithçka, nga mesazhet me tekst dhe thirrjet telefonike deri në trafikun e internetit duke përfshirë kërkimet, bisedat dhe shërbimet e mesazheve.

FE nisi hetimin e brendshëm – me emrin e koduar “Operacioni Dunhammer” – pas shqetësimeve në lidhje me rrjedhjet e Edward Snowden në 2013 duke zbuluar se si funksionon NSA.

D.R tha se edhe pas gjetjeve të Dunhammer, drejtuesit e lartë të FE-së në atë kohë nuk e prishën bashkëpunimin me NSA. /Insajderi.com