Biden për dënimin e Mladiq: Shpresoj të respektohet ky vendim

Biden për dënimin e Mladiq: Shpresoj të respektohet ky vendim

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka reaguar pas rikonfirmimit të dënimit me burgim të përjetshëm ndaj Ratko Mladiqit, njofton Insajderi.

Biden ka thënë se sot është me të gjithë të mbijetuarit dhe familjet e viktimave të mizorive të Mladiqit.

Ai shtoi se vendimi i sotëm tregon se ata që kryejnë krime të tmerrshme do të mbajnë përgjegjësi.

“Ne kurë nuk mund ta fshijmë tragjedinë e vdekjes së tyre, por shpresoj që gjykimi i sotëm të sigurojë njëfarë qetësimi për të gjithë ata që janë të pikëlluar”, thuhet në qëndrimin e Biden të cilin e ka përcjellë Shtëpia e Bardhë.

“Drejtësia dhe pajtimi janë themel i paqes dhe stabilitetin për të ardhmen dhe vendimi i sotëm është gjithashtu një konfirmim i rëndësishëm se kjo është e mundur. Sinqerisht shpresoj që udhëheqësit në rajon ta respektojnë këtë gjykim dhe të riforcojnë rëndësinë e tij për sundim të ligjit”.

Pak kohë para reagimit të Biden, Ambasada e Amerikës në Bosnjë e Hercegovinë ka mirëpritur vendimin e Dhomës së Apelit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara për t’ia konfirmuar dënimin me burgim të përjetshëm Mladiqit.

“Ambasada e SHBA-së në BiH mirëpret vendimin e sotëm nga Dhoma e Apelit e Mekanizmit Ndërkombëtar të Kombeve të Bashkuara për Gjykatat Penale që pohon dënimin e Ratko Mlladiqit. Vendimi përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt llogaridhënies së atyre individëve përgjegjës për vuajtjet e jashtëzakonshme të popullit të Bosnjës e Hercegovinës, ndërsa sjell një masë të drejtësisë të shumëpritur për viktimat dhe familjet e tyre. Ne i nxisim të gjitha palët që ta respektojnë vendimin e gjykatës dhe të përkushtohen në pajtimin e vazhdueshëm dhe bashkëjetesën paqësore thelbësore për të ardhmen e një Bosnje e Hercegovine të qëndrueshme dhe të sigurt që mbron të drejtat e të gjithë qytetarëve të saj”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane. /Insajderi.com