Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, nëpërmjet një mesazhi drejtuar homologut të tij danez, Jesper Moller, ka shprehur solidaritetin e tij dhe të komunitetit të futbollit të Kosovës ndaj futbollistit Christian Eriksen, i cili në ndeshjen mes Danimarkës – Finlandës në kuadër të EURO 2020, u rrëzua në fushë dhe për disa momente luftoi me jetën, shkruan Insajderi.
Farmirëshisht gjendja e tij tani duket se është stabilizuar dhe pritet që ai t’i rikthehet jetës normale.
Në letrën e tij, presidenti Ademi uron që Eriksen t’i kthehet sa më parë pasionit të tij.
Letra e plotë e presidentit Ademi drejtuar homologut të tij, Jesper Møller:
Bota e futbollit dhe jo vetëm u shokua mbrëmë nga pamjet në ndeshjen Danimarkë-Finlandë, kur Christian Eriksen u rrëzua pa ndjenja në fushë.
Ai moment kritik për jetën e tij bëri që ankthi të na pushtojë të gjithëve, por njëherësh edhe na bashkojë në lutjet tona drejtuar Perëndisë për ta tejkaluar atë gjendje. Fatmirësisht reagimi i stafit mjekësor, forca e tij për të luftuar për jetën dhe lutjet nga të katër anët e globit bën që Eriksen ta fitojë këtë betejë.
Tashmë kur vijnë lajme të mira nga stafi mjekësor që është nën përkujdesjen e Eriksenit, ne të gjithë ndihemi më të qetë dhe qëndrojmë në solidaritet të plotë me lojtarin, me shpresë dhe besim se së shpejti do t’i kthehet familjes së tij dhe futbollit edhe më i fortë.
Në emër të KE të FFK-së dhe gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë uroj që Eriksen sa më parë t’i kthehet normalitetit dhe pasionit të tij – futbollit, për ta ndihmuar kombëtaren e Danimarkës dhe klubin e tij në arritjen e objektivave.
Lutjet dhe mendimet tona janë me ty Eriksen!
Të presim edhe më të fortë!
Shkruhet në letrën e Agim Ademit./insajderi.com