Lehtësimi i masave COVID-19 në Angli do të shtyhet për katër javë

Lehtësimi i masave COVID-19 në Angli do të shtyhet për katër javë

Ministrat kanë nënshkruar një vendim për të shtyrë heqjen e të gjitha kufizimeve ndaj Coronavirusit në Angli pas 21 qershorit, transmeton Insajderi.

Burime nga qeveria atje i kanë thënë ’BBC’ se kufizimet aktuale do të vazhdojnë edhe për katër javë të tjera pas kësaj date.

“Kjo do të thotë që klubet e natës do të qëndrojnë të mbyllura dhe njerëzit do të inkurajohen të punojnë akoma nga shtëpia nëse është e mundur”, ka shkruar kjo media.

Kryeministri Boris Johnson pritet të konfirmojë vendimin për shtyrjen e heqjes së masave gjatë ditës në një konferencë për media.

Me tej thuhet se zgjatja e bllokimit do të vendoset në votim nga dhoma e përfaqësuesve këtë muaj dhe mund të shkaktojë një rebelim të konsiderueshëm të Konservatorëve.

“Faza e katërt e udhërrëfyesit të qeverisë për lirimin e masave do të hiqte të gjithë ndalesat ligjore për kontaktet shoqërore. Mirëpo shumë shkencëtarë kanë bërë thirrje që rihapja të shtyhet, në mënyrë që më shumë njerëz të vaksinohen dhe të marrin dozat e dyta, në mes të situatës me rritje të rasteve me variantin Delta”, është shkruar në artikull.

Infeksionet në rritje në Mbretërinë e Bashkuar po nxiten nga varianti Delta, i identifikuar së pari në Indi, i cili tani përbën 90 për qind të infeksioneve.

Të dielën, Anglia regjistroi shtatë mijë e 490 raste të reja me COVID-19 dhe tetë vdekje./Insajderi.com