Bideni lehtëson raportet tregtare me BE-në para takimit me Putinin

Bideni lehtëson raportet tregtare me BE-në para takimit me Putinin

Presidenti amerikan, Joe Biden, pritet t’i jap fund një mosmarrëveshjeje të gjatë me Bashkimin Evropian për shtesat për prodhuesit e pjesëve të aeroplanëve, si lëvizje e madhe në raportet Shteteve të Bashkuar të Amerikës dhe Bashkimit Evropian  e cila vjen pak para takimit të shumëpritur me presidentin rus, Vladimir Putin, transmeton Insajderi.

Në një takim që Bideni pati me Presidentin e Këshillit të Evropës, Charles Michel, dhe Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të dy palët arritën marrëveshjen për telashin që ka zgjatur që 17 vjet, në atë se sa mund të subvencionojnë secila qeverisje prodhuesit e mëdhenj – Boeing në SHBA dhe Airbus në BE – në, raporton ‘AP’.

“Me këtë lëvizje, Bideni lehtëson një pikë tensionesh në raportet transatlantike, në një moment kur po kërkon përkrahjen e gjerë të Evropës përballë Rusisë, para takimit të së mërkurës me Putinin në Gjenevë”, ka shkruar kjo media.

Përfaqësuesja e Departamentit të Tregtisë, Katherine Tai, ka thënë se marrëveshja parasheh një suspendim pesëvjeçar të tarifave për kompanitë e mëdha ajrore, dhe ka theksuar se fokusi i plotë do të jetë në luftimin e telasheve ekonomike nga Kina.

“Ne ramë dakord të punojmë së bashku për të sfiduar dhe kundërshtuar praktikat jo-të tregut të Kinës në këtë sektor në mënyra specifike që pasqyrojnë standardet tona për konkurrencën e ndershme”, ka thënë më tej ajo.

Edhe pse pa i zgjidhur të gjitha çështjet tregtare, Shtëpia e Bardhë ka shprehur besimin se mund të ndërtojë besimin me Evropën para takimit kokë më kokë të Bidenit me Putinin.

Që kur ka marrë postin e të parit në SHBA, Bideni ka kërkuar nga Putini të marrë aksione për të ndalur sulmet kibernetike ruse në kompanitë dhe qeveritë në SHBA dhe gjithë botën./Insajderi.com