Rreth 17 mijë apo 50 për qind e punëtorëve të sektorit të Hotelerisë në Kosovë kanë humbur vendet e punës si pasojë e pandemisë COVID-19, transmeton Insajderi.
Kështu ka deklaruar Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva, sipas të cilit ky sektor është njëri nga më të goditurit.
“Në kohën e sezonës së verës kur është numri i personave që e kanë humbur punën shkon dikur rreth 30 mijë. Nëse e llogarisim me përqindje 70 për qind ishim të prekur, kështu numri i punëtorëve të papunë shkon në 50 deri 60 për qind. Prandaj, fati e ka dashtë që kemi filluar ta marrim veten me masat e reja që janë vendosur”, është shprehur ai në Klan Kosova.
“Afër një miliard kemi humbje në këtë sektor, nuk them që ATK-ja po humb, unë them në qarkullim e kemi këtë shifër të humbjes. Këtu lidhen të gjitha, janë të degëzuara, ushqimi, shërbimet, pijet, qytetarët në sallone, etj. Krejt kjo veprimtari afër një miliard euro ka humbje, ato janë pare, aty derdhen pare”, ka thënë Sogojeva./Insajderi.com