Azemi për Insajderin: “Ishte i vështirë vendimi për pensionim, kam menduar të luaj ende”

Azemi për Insajderin: “Ishte i vështirë vendimi për pensionim, kam menduar të luaj ende”

Pas njoftimit të klubit basketbollistik ‘Prishtina’, të premten për pensionimin e legjendës së basketbollit kosovar, Edmond Azemi, ky i fundit ka treguar arsyen që e shtyu për të marrë këtë vendim dhe se se sa ka qenë e vështirë për të.

Në një intervistë dhënë Gazetës Online Insajderi, Azemi thotë se do të vazhdojë të kontribuojë për klubin, por në një formë tjetër.

“Arsyeja që e kam lënë basketbollin normalisht ka qenë shumë e vështirë për mua, sepse kam menduar të vazhdoj ende, por pozita e drejtorit gjeneral te Prishina ka qenë bosh, ku edhe më është ofruar kjo pozitë nga presidenti Maraj. Kam dashur të kontriboj në klub në një mënyrë tjetër, duke iu hapë rrugën lojtarëve të rinj”, është shprehu Azemi, derisa ka folur edhe rreth qëllimeve të klubit duke filluar nga edicioni i ardhshëm.

“Normalisht që qëllimi jonë është të punojmë shumë më shumë me akademinë e të rinjëve të klubit, besoj që këto viteve të fundit nuk është punuar sa duhet me të rinjët, derisa ky do të jetë qëllimi jonë i parë, për shkak se nuk do të kemi nevojë të investojmë më shumë në transferimin e lojtarëve të huaj, derisa qëllimi i dytë dhe i tretë do të jetë të shpallemi kampion të Kosovës dhe të fitojmë kupën e Kosovës”, shtoi ai.

Edicionin e kaluar ani pse fituan Superkupën dhe Kupën e Kosovës, ‘Prishtina’ kaloi një periudhë të vështirë në ligë, pasi ishte në luftë për mbijetesë.

Azemi tregon arsyen pse kryeqytetasit kaluan nëpër këtë fazë:

“Ndikim të madh mendoj se ka pasur pandemia në rënien tonë, sepse të gjithë sponzorët kanë shfaqur pasiguri dhe nuk kanë investuar shumë, kjo ka bërë që të kemi buxhet më të vogël se viteve tjera. Por prap se prap nuk mund të themi se kemi pasur sezon të dështuar, pasi kemi fituar Superkupën dhe Kupën e Kosovës”.

“Ne jemi mësuar që Prishtina gjithmonë të shpallet kampion, gjithmonë kemi qenë 2-3 hapa para të gjithë skuadrave, dhe tash kur nuk shpallemi kampion është dështim, jo, nuk është dështim, kur kemi fituar Kupën në Suherek jemi cilsuar si outsider, edhe triumfi në Superkupë, është një sukses i madh”.

Mes tjerash 40-vjeçari tregoi edhe taktikat që do të përdoren në mënyrë që klubi të dalë nga kriza.

“Tash jemi stabilizuar, posaqërisht në muajin janar kur kemi zgjedhur presidentin e ri, besoj tash klubi do të funksionoi shumë më mirë, me mua si drejtor gjeneral dhe presidentin e klubit, Burim Maraj. Jemi në bisedime me shumë komapani me qëllim investimi te Sigal Prishtina, dhe për shkak të të kaluar së suksesshme që kemi pasur, e kemi një CV të mirë, dhe jemi drejt stabilizimit”.

Krejt në fund, legjenda e basketbollit kosovar tregoi edhe momentet më të mira dhe të vështira gjatë karrierës së tij shumëvjeçare si basketbollist.

“Janë shumë momente të mira, që normalisht si basketbollist nuk do t’i harroj kurrë, ka qenë viti 2003/2004, kur salla ka qenë e stërmbushur, kur e kemi mposhtur ‘Mabetexin’ me treshen time në fund, ku pastaj edhe jemi shpallur kampion”.

Mes shumë momentesh, Azemi veçoi kohën kur ka qenë pjesë e përfaqësueses kosovare:

“Normalisht ndjenjë e mirë ka qenë edhe kur kam luajtur me Përfaqësuesen e Kosovës, normalisht këtë gjë e kam pritur për shumë shumë vite dhe ka qenë ënderr të jem pjesë e përfaqësues, të përfaqësoj vendin tim në arenën ndërkombëtare”.

Ndërsa, momenti më i vështirë Azemi e konsideron humbjen kundër ‘Trepçës’ në vitin 2011.

“Humbja ndaj Trepçës në play-off ka qenë ndër momentet më të vëshira për mua, jo për ndonjë arsye, por si ekip kemi qenë shumë optimist se ndeshjen do ta fitojmë, dhe kemi qenë të përgatitur psiqikisht për këtë gjë, derisa pas humbjes ka qenë periudhë shumë e vëshirë ta përballoj personalisht, dhe në një farë mënyre ky ka qenë ‘dështimi’ ynë”.

Edmond Azemi karrierën si basketbollist profesionist e nisi në vitin 1999 te Prishtina, ku gjatë shumë viteve me klubin nga kryeqyteti, fitoi plotë 36 trofe, që e bëjnë atë të pakrahasueshëm deri tash në basketbollin vendor.

Në të kaluar ka luajtur edhe për ekipin e Valbonës nga kampionati shqiptar, derisa ishte pjesë edhe e ‘MZT Skopje’ dhe ‘KB Liria’ nga Shkupi.

Tash pas pensionimit, Azemi do të vazhdojë të mbetet pjesë e klubit ‘Prishtina’, por në cilësinë e Drejtorit Gjeneral. /Insajderi.com