Bashkimi Europian ka nisur një hetim mosbesimi ndaj biznesit më të madh të reklamave në internet Google, duke pretenduar se kompania mund të krijojë disavantazh te rivalet e tjerë dhe të vështirësojë arritjen deri te konsumatorët te rivalët tjerë, transmeton Insajderi.
Siç raporton ‘AP’, hetimi zyrtar, i cili është pasues i një hetimi paraprak që kishte filluar nga viti 2019, do të shqyrtojë nëse Google po shtrembëron konkurrencën duke kufizuar hyrjen në të dhënat e përdoruesit për qëllime reklamimi, ndërsa rezervon të dhëna të tilla për përdorimin e vet, ka thënë Komisioni Europian.
“Google mbledh të dhëna për t’i përdorur për qëllime reklamuese dhe shet hapësirë reklamuese meqë vepron si një ndërmjetës i reklamave në internet. Kështu që Google është e pranishme në pothuajse të gjitha nivelet e zinxhirit të reklamave në internet”, ka thënë zyrtarja e BE-së Margrethe Vestager
Nga ana tjetër, një zëdhënës i Google ka thënë se kompania do të bashkëpunojë në mënyrë konstruktive me Komisionin Europian për të t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve të ngritura.
Një fushë tjetër që po shikon komisioni janë kufizimet që Google u vë reklamuesve, botuesve dhe ndërmjetësuesve konkurrues të reklamave për të hyrë në të dhëna në lidhje me identitetin dhe sjelljen e përdoruesve në të cilat kanë qasje shërbimet e reklamave të vetë Google.
Të dhëna të tilla mund të përdoren për të përshtatur reklama në internet për përdoruesit individualë të internetit.
Rregullatorët e BE kanë fuqinë të vendosin ndëshkime me vlerë deri në 10% të të ardhurave vjetore të një kompanie. Por është një çmim i vogël për të paguar për ndërmarrjet e pasura të teknologjisë si Google, i cili postoi një fitim prej 17.9 miliardë dollarësh në tremujorin e tij të fundit, dhe komisioni po u drejtohet metodave të tjera përtej gjobave kryesore, ka raportuar kjo media./Insajderi.com