Marrëveshja për heqjen e sigurimit kufitar midis Kosovës dhe Malit të Zi, është nënshkruar sot në Podgoricë, njofton Insajderi.
Drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Sami Mazreku dhe drejtori i Shoqatës – Byrosë Nacionale të Siguruesve në Malin e Zi, Boris Saban, e kanë nënshkruar sot Memorandumin e Mirëkuptimit për njohjen reciproke të certifikatave të sigurimit për mbulimin e përgjegjësive në shkaktimin e dëmeve ndaj palëve të treta në territoret e ndërsjella në Republikën e Kosovës dhe Malit të Zi.
“Kjo është ndër marrëveshjet më të rëndësishme, pasi u hapë rrugën të dyja vendeve për lëvizje të lirë, dhe për ne është një hap drejtë Kartonit të Gjelbër. Kjo marrëveshje është përmendur që 20 vite dhe sot po e finalizojmë”, është shprehur Mazreku gjatë nënshkrimit të marrëveshjes.
Qytetarët e Kosovës nga 1 korriku nuk do ta paguajnë sigurimin në vlerë prej 15 euro kur shkojnë në Mal të Zi, pas kësaj marrëveshjeje.
Drejtuesit e mjeteve motorike me targë të regjistrimit të Malit të Zi gjatë hyrjes në Kosovë do të prezantojnë Kartonin e Gjelbër valid, ndërsa në anën tjetër drejtuesit e mjeteve motorike me targë të regjistrimit të Kosovës gjatë hyrjes në Malin e Zi do të prezantojnë certifikatën e sigurimit TPL + valide, e cila aplikohet edhe në MoU-të me Maqedoninë dhe Serbinë.
Në këtë ceremoni, e pranishme ishte edhe zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilja Rexhepi dhe zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq. /Insajderi.com