Një milion franga për Ajetin, sulmuesi kthehet përfundimisht në Zvicër

Një milion franga për Ajetin, sulmuesi kthehet përfundimisht në Zvicër

Albian Ajeti, njëri prej dy vëllezërve më të vegjël binjakë të Arlind Ajetit, është përfundimisht një futbollist i St. Galen në Zvicër. Sulmuesi 20-vjeçar, i cili vlerësohet si talent i padiskutueshëm nga ekspertët ndërkombëtare ka finalizuar sot transferimin e tij përfundimtar nga Augsburgu që zotëronte kartonin e tij.

20-vjeçari kishte kaluar nga Bazeli te Augsburg vetëm një vit më parë, por duke mos gjetur shumë hapësira te klubi gjerman, zgjodhi të kthehej në Zvicër, për të luajtur me rregullsi, pasi iu ofrua një mundësi e tillë nga St. Galen.

Ai fillimisht ishte me formulë huazimi në këtë klub, por tani klubi zviceran ka gjetur akordin me Augsburgun për ta transferuar përfundimisht.

Pasi është paguar 1 milionë franga zvicerane në arkat e klubit të Bundesligës, Ajeti ka nënshkruar edhe kontratën që do ta mbajë të lidhur me St. Galen deri në vitin 2021. Ndërkaq, ai nuk do të jetë pjesëtari i vetëm i familjes që do të luajë në këtë klub, pasi që nga vera, St. Galenit do t’i bashkohet binjaku i tij, mbrojtësi Adonis Ajeti

Ajeti nuk ka zgjedhur ende se me cilën Kombëtare do të luajë, ndonëse mediat zvicerane spekulojnë prej kohësh se ai po monitorohet nga trajneri i Zvicrës, Vladimir Petkoviç. Futbollisti i cili ka shënuar 9 gola në 19 ndeshje në këtë sezon, nuk ka bërë ende zgjedhjen e tij përfundimtare edhe pse ka luajtur me përfaqësueset e moshave të Zvicrës, shkruan gazeta shqiptare Panorama.

Ai mund të luajë edhe me Shqipërinë apo Kosovën, ndërsa është pajisur me pasaportën shqiptare që në vitin 2015.