COVID-19: Varianti Delta shkakton kufizime të reja të udhëtimit nëpër Evropë

COVID-19: Varianti Delta shkakton kufizime të reja të udhëtimit nëpër Evropë

Portugalia, Spanja dhe Gjermania kanë vendosur kufizime të reja të udhëtimit në një përpjekje për të kufizuar përhapjen e variantit më ngjitës të Coronavirusit, Delta, i cili u zbulua për herë të parë në Indi.

Nga e hëna, britanikët e pavaksinuar që udhëtojnë në Portugali do të duhet të karantinohen për dy javë, sipas një urdhri të botuar nga qeveria Portugeze, shkruan Euronews, transmeton Insajderi.

Sipas rregullave të reja, kushdo që udhëton në Portugalinë kontinentale nga ajri, toka ose deti, do të duhet të dëshmojë se është vaksinuar me të dyja dozat ose duhet të izolohet.

Masa vjen pasi Kancelarja gjermane, Angela Merkel, kritikoi Portugalinë javën e kaluar për lejimin e turistëve britanikë për të udhëtuar në vend midis mesit të majit dhe fillimit të qershorit, ndërsa varianti Delta po qarkullonte në Mbretërinë e Bashkuar.

Portugalia u bë vendi i parë i Bashkimit Evropian që njoftoi se varianti Delta tani ishte dominues në territorin e saj.

Spanja gjithashtu ka vendosur kufizime të reja për udhëtarët në Mbretërinë e Bashkuar. Duke filluar nga e enjta, njerëzit që vijnë nga Britania në Ishujt Balearik do të duhet të dëshmojnë se janë vaksinuar plotësisht kundër COVID-19 ose të tregojnë një test negativ PCR./Insajderi.com