Pas faljes së Bajramit, Erdogan kërkon nga SHBA ta financojë

Pas faljes së Bajramit, Erdogan kërkon nga SHBA ta financojë

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, u bëri thirrje të martën Shteteve të Bashkuara për t’i plotësuar kushtet financiare, logjistike dhe diplomatike në mënyrë që vendi i tij ta menaxhojë dhe ta ruajë Aeroportin e Kabulit pas tërheqjes së trupave të huaja nga Afganistani, transmeton Insajderi.

Siç raporton ‘Reuters’, Turqia ka ofruar që të dërgojë trupa në këtë aeroport pas tërheqjes së plotë të NATO-s dhe ka zhvilluar bisedime me SHBA-të për këtë çështje për disa javë.

Ndërsa talibanët, të cilët e kanë zgjeruar territorin që e kontrollojnë pas largimit të trupave të NATO-s e ShBA-së, e kanë paralajmëruar Turqinë kundër qëndrimit të trupave të saj në aeroport.

“Nëse këto kushte mund të plotësohen, po mendojmë që ta marrim menaxhimin e Aeroportit të Kabulit”, tha Erdogan, duke i përmendur përkrahjen diplomatike për Turqinë dhe dorëzimin e objekteve dhe logjistikës nga ShBA-ja në Afganistan.

“Do të ketë vështirësi serioze financiare dhe administrative. ShBA-ja do ta ofrojë përkrahjen e nevojshme për Turqinë edhe në këtë aspekt”, shtoi Erdogani, pas faljes së namazit të Kurban Bajramit në mëngjesin e së martës.

Turqia shpreson që misioni në Aeroportin e Kabulit do të ndihmojë në përmirësimin e raporteve të tensionuara me Shtetet e Bashkuara për disa çështje, përfshirë blerjen e sistemit raketor rus, S-400, nga Turqia. /Insajderi.com