Ministria e Financave ka një njoftim për mërgimtarët që duan të investojnë në Kosovë

Ministria e Financave ka një njoftim për mërgimtarët që duan të investojnë në Kosovë

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton se nga e mërkura hapet shitja e Bonove të Diasporës, ku do të emetohen Bono me maturitet 3 dhe 5 vjeçar në shumën prej 20 milionë euro, përcjell Insajderi.

Me këtë rast, MFPT-ja ka ftuar mërgimtarët që të investojnë përmes Bonove të Diasporës, “të cilat mundësojnë që kapitali i tyre të mobilizohet për investime strategjike që ndikojnë në zhvillimin ekonomik të vendit”.

“Bonot e Diasporës janë letra me vlerë të garantuara nga shteti përmes Ligjit mbi Borxhin Publik, i cili i jep përparësi kthimit të borxhit ndaj të gjitha shpenzimeve tjera të Qeverisë. Prandaj, investimi në Bonot e Diasporës mund të konsiderohet si investimi më i sigurt në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Tutje, bëhet e ditur se Bonot e Diasporës emetohen gjatë periudhës 21 korrik 2021 – 18 gusht 2021.

“Shuma minimale për blerje te Bonove është 10,000 euro, kurse shuma maksimale për një person në një bankë është 500,000 euro, ashtu që sa më shumë persona të investojnë. Afatizimi (maturimi) 3 vjeçar ka normë interesi 1.20%, ndërsa afatizimi 5 vjeçar ka normë interesi 2.20%. Fitimi nga ky investim është i liruar nga tatimi dhe paguhet çdo 6 muaj deri në përfundim të maturimit”.

Ditë më parë është nënshkruar një marrëveshje ndërmjet Bankës Qendrore të Kosovës dhe gjashtë bankave komerciale për emetimin e bonove të dedikuara për diasporën.

Letrat me vlerë ose bono të thesarit lëshohen nga Ministria e Financave dhe Transfereve sa herë që qeveria ka nevojë për më shumë para. Këto letra janë borxh i qeverisë. Letrat me vlerë në Kosovë kryesisht blihen nga bankat komerciale./Insajderi.com