Trump duhet të paguajë 25 milionë dollarë për të mbyllur paditë për Universitetin

Trump duhet të paguajë 25 milionë dollarë për të mbyllur paditë për Universitetin

Sipas agjencisë “Assosiated Press”, një gjykatës ka rënë dakord që presidenti Donald Trump të paguajë 25 milionë dollarë për të zgjidhur paditë lidhur me universitetin e tij tashmë i mbyllur.

Vendimi i marrë të premten nga gjyqtari i distriktit të San Diegos, Gonzalo Curiel, i ka dhënë fund një beteje ligjore gati shtatë vjeçare. Studentët pretendonin se ishin mashtruar nga premtimet se ndjekja e studimeve atje do t’i bënte të suksesshëm në fushën e pasurive të patundshme.

Vendimi zgjidh dy padi të ngritura nga një grup ish studentësh si dhe një padi të ngritur nga Prokurori i Përgjithshëm i Nju Jorkut, Eric Schneiderman, shkruan Express.

Trump kishte deklaruar se për këtë çështje nuk do të pranonte ta zgjidhte me marrëveshje, por pas zgjedhjeve ai tha se nuk kishte kohë për ta ndjekur çështjen nëpër gjykata, megjithëse besonte se do ta fitonte atë. Sipas marrëveshjes ai nuk pranon të ketë këtë kryer ndonjë shkelje.

Avokatët e studentëve thonë se mijëra vetë do të marrin të paktën 90 për qind të parave që kanë paguar për studimet.