Kina hodhi poshtë të enjten një plan të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për një fazë të dytë të një hetimi mbi origjinën e COVID-19, i cili përfshin hipotezën që mund të kishte shpëtuar nga një laborator kinez, tha një zyrtar i lartë shëndetësor.
OBSH këtë muaj propozoi një fazë të dytë të studimeve mbi origjinën e coronavirusit në Kinë, duke përfshirë auditimet e laboratorëve dhe tregjeve në qytetin e Ëuhan, duke kërkuar transparencë nga autoritetet, shkruan Reuters.
“Ne nuk do të pranojmë një plan të tillë të kërkimit të origjinës pasi ai, në disa aspekte, shpërfill mendjen e shëndoshë dhe sfidon shkencën”, ka thënë para gazetarëve Dr. Zeng Yixin, zëvendës-ministër i Komisionit Kombëtar të Shëndetit (NHC).
Dr. Zeng tha se u befasua kur lexoi për herë të parë planin e OBSH-së sepse rendit hipotezën se një shkelje kineze e protokolleve laboratorike kishte shkaktuar rrjedhjen e virusit.
Ndërkohë, kreu i OBSH-së tha më herët në korrik se hetimet mbi origjinën e pandemisë së shkaktuar nga Covid-19 në Kinë po vështirësoheshin nga mungesa e të dhënave të para në ditët e para të përhapjes atje.
Por, Dr. Zeng përsëriti qëndrimin e Kinës se disa të dhëna nuk mund të ndahen plotësisht për shkak të shqetësimeve të privatësisë.
“Ne shpresojmë që OBSH të rishikojë seriozisht konsideratat dhe sugjerimet e bëra nga ekspertët kinezë dhe të trajtojë me të vërtetë gjurmimin e origjinës së Covid-19 si një çështje shkencore, dhe të shmangë ndërhyrjet politike”, tha Dr Zeng.
Ai shtoi se Kina ishte kundër politizimit të studimit./Insajderi.com