Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar Raportin me amendamente të Projektligjit për për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021, transmeton Insajderi.
Ky miratim u kritikua nga opozita. Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, tha se buxheti është i natyrës së veçantë dhe është për keqardhje që kanë kaluar amendamentet pa diskutim.
“Në gjitha rastet edhe kur ka zvogëlim edhe rishikim të buxhetit ka pasur harmoni edhe me opozitën dhe buxheti është i natyrës së veçantë. Shpreh keqardhje për mënyrën se si i keni kaluar amendamentet, dhe se si duhet të përimtohen këto amendamente”, ka thënë ai.
Por, një gjë të tillë e mohoi deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani, cili tha se opozita s’ka qenë bashkëpunuese.
“Normalisht që refuzohen kërkesat që janë pa bazë, dhe mbesin në letër, ky është thjesht rishikim i buxhetit dhe jo një buxhet i ri. Mendoj që nuk ka kohë me u bë pazare me partitë politike”, shtoi më tej ai.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj tha se pushteti ka bërë “pazar” me rishikimin e buxhetit, pasi i vetmi amendament nga opozita që ka kaluar ka qenë i deputetes, Albena Reshitaj, që ka votuar pro presidentit.
“Është bërë e padrejtë për kryetaret e komunave, dhe të jeni më realistë, por sidomos të bashkëpunohet, pasi nuk është në interesin e Aleancës që të dëmtohet buxheti. Pse ka kaluar amendamenti i Albena Reshitaj e cila ka dhënë votën e presidentes, dhe aty është pazari dhe jo te ne”, tha Lekaj, raporton EO.
Mërgim Lushtaku nga Partia Demokratike e Kosovës tha se reagimi i pozitës është shqetësues.
“Reagimi i pozitës po më shqetëson, ne kemi shumë tema nga më të ndryshmet si për shtesat nga fëmijët dhe çështje të tjera që nuk i keni mbështetur”, tha Lushtaku. /Insajderi.com