Frikë se talebanët do ta ndalojnë vaksinimin në të gjithë Afganistanin

Frikë se talebanët do ta ndalojnë vaksinimin në të gjithë Afganistanin

Sikur kaosi i krijuar nga marrja e talebanëve të mos ishte i mjaftueshëm, Afganistani rrezikon të përballet me një tjetër fatkeqësi: atë të Covid.

Talebanët të cilët morën pushtetin në duar, kanë vendosur të ndalojnë vaksinimin në disa zona dhe mundësia që ta shpallin të paligjshëm në të gjithë vendin frikëson Organizatën Botërore të Shëndetit dhe më gjerë.

Nëse do të kishte një rritje të rasteve serioze, Afganistani nuk do të ishte gati, shkruan Euronews, transmeton Shqip.com.

“Doja të bëja një test PCR sepse kisha dhimbje fyti, ethe dhe të dridhura,” thotë një burrë. “Por, talebanët kanë mbyllur të gjitha qendrat mjekësore dhe i përdorin ato vetëm për ushtarët e tyre”.

“Unë jam duke pritur për rezultatin, negativ ose pozitiv. Por, njerëzit në rrugë dhe veçanërisht tani, në këtë situatë krize, nuk mbajnë maska. Njerëzit kanë më shumë frikë nga talebanët sesa nga virusi. Ky është një rrezik i madh. Raste ka shumë dhe nuk ka kontroll”, shpjegon një tjetër.

Ish-kreu afgan i shëndetit publik paralajmëroi se, pa ndihmën e qeverive dhe organizatave ndërkombëtare, kjo mund të kthehet në një katastrofë humanitare. Dhe sigurisht që problemi mund të arrijë edhe në Perëndim, ku pritet një valë emigrantësh afganë që largohen nga vendi i tyre.

Në të kaluarën, talebanët kishin shprehur zhgënjim me vaksinat, për shembull duke kundërshtuar vaksinimin kundër poliomielitit. Ky kundërshtim ndaj vaksinave ka edhe arsye fetare: në shumë serume, në fakt, komponentët që rrjedhin nga derrat përdoren dhe për këtë arsye ndalohen nga libri i tyre, Kurani./Insajderi.com