Hysaj: Kemi mundësi të shkojmë në Botërorin e Katarit

Hysaj: Kemi mundësi të shkojmë në Botërorin e Katarit

Mbrojtësi i Kombëtares Shqiptare, Elseid Hysaj është shprehur optimist që kuqezinjtë mund të kualifikohen tutje në Kampionatin Botëror “Katari 2022”.

Lojtari i Lazios, në konferencë për media ka thënë se futbollistët e Shqipërisë janë shumë të motivuar për ndeshjen e  ardhshme dhe se kanë shumë besim te vetja, transmeton Insajderi.com.

“Na duhej kjo fitore me Hungarinë, sepse na karikon shumë për të ecur përpara. Kemi mundësi të shkojmë në Botërorin e Katarit, ndaj jemi të motivuar për ndeshjen e radhës. Tashmë kemi më shumë besim te vetja, jemi përforcuar si kombëtare. Shqipëria nuk ka qenë kurrë kaq e mbushur me lojtarë që luajnë me ekipet e mira europiane. Edhe me Hungarinë luajtëm shumë mirë” ka thënë Hysaj ndër të tjera.

Ai po ashtu shtoi se, si rivalë të fortë i sheh vetëm Poloninë dhe Hungarinë.

“Beteja për vendin e dytë në grup vazhdon. Jemi tre rivalë për këtë objektiv; ne, Polonia dhe Hungaria. Janë dy kombëtare me nivel të mirë. Polonia përfiton shumë nga Lewandowski, që luan te më të mirët, ndërsa Hunagria është si puna jonë, ka grupin”, shtoi 27 vjeçari.

Shqipëria, momentalisht gjendet në pozitën e tretë të Grupit I, me nëntë pikë të grumbulluara pas pesë ndeshjeve të zhvilluara./Insajderi.com