Kryeministri i Haitit ftohet të dëshmojë në seancën për vrasjen e presidentit

Kryeministri i Haitit ftohet të dëshmojë në seancën për vrasjen e presidentit

Kryeprokurori i Haitit ka ftuar kryeministrin, Ariel Henry për të shpjeguar lidhjen e tij me të dyshuarin kryesor në vrasjen e Presidentit, Jovenel Moise.

Ky i fundit u vra kur persona të armatosur sulmuan shtëpinë e tij më 7 korrik, shkruan BBC, transmeton Insajderi.com.

Prokurori Bedford Claude tha se Henry kishte telefonata të shumta me të dyshuarin Joseph Felix Badio vetëm disa orë pas vrasjes.

Claude tha se Henry po “ftohet” të marrë pjesë në seancë, pasi ai nuk kishte autoritetin ta thërriste zyrtarisht.

Prokurorët thanë se regjistrimet e marra nga operatori telefonik Digicel konfirmuan se Badio dhe Henry folën dy herë më 7 korrik vetëm disa orë pas vrasjes së Presidentit Moise.

Të dhënat e gjeolokacionit treguan gjithashtu se Badio, vendndodhja e të cilit aktualisht nuk dihet, po fliste nga vendi i krimit.

Seanca në Gjykatën e Shkallës së Parë të Port-au-Prince do të zhvillohet të martën në orën 10:00./Insajderi.com