Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se edhe të punësuarit kanë shumë probleme; duke përmendur mungesën e sigurimit shëndetësor dhe mospagesën për punën jashtë orarit.
Krejt këto probleme Kurti i ka përkufizuar në “punë të pasigurt”.
Këto komente, kreu i ekzekutivit i bëri gjatë Kongresit Zgjedhor të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, të shtunën.
Pos tjerash, aty – Kurit premtoi se paga minimale do të rritet në 250 euro.
“Pandemia e ka pasur një anë pozitive për punëtorët, ka reflektuar te shoqëria për punët që më herët nuk i kanë dhënë rëndësi”.
“Gjendja e punëtorëve është trashëgimi që jemi përballur nga dita e parë e punës. Do ta pesëfishojmë numrin e inspektorëve. Paga minimale do ta risim në 250 euro”, ka thënë Kurti.
“Dekada e fundit për punëtorin kosovar ka qenë e kobshme për shkak të regjimit të Millosheviqit, e pastaj nuk kanë mundur të kthehen më në punë. E dimë që kemi papunësi të mëdha në Kosovë”, pohoi i pari i ekzekutivit.
Qeveria pretendon rritje ekonomike
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka deklaruar se GDP-ja e Kosovës ka shënuar rritje 16. 28 për qind.
Këtë rritje e ka bazuar në krahasimin e këtij gjashtëmujori me atë të vitit të kaluar.
Por, sipas tij nënkupton se Kosova ka rritje ekonomike 10.4 për qind.
”Lajmi i mirë është që aktiviteti ekonomik ka shënuar rritje rekorde që nuk e kemi parë deri tani ku në krahasim me vitin paraprak GDP-ja ka shënuar rritje prej 16.28 për qind. Rritja ekonomike për gjashtë muajt e parë të këtij viti është 10.4 për qind”.
“Mund të flasim për një rritje të përgjithshme ekonomike në gjysmë vitin e parë për sivjet”, tha ai në një konferencë për media.
Ai thotë se kjo rritje është me e madhe edhe kur e krahasojmë me rritjen ku nuk kishte pandemi.
“Këtë rritje e mbështesin edhe të dhënat nga ATK e Dogana se qarkullimi i bizneseve ka shënuar rritje prej 49.5 për qind”.
“Punësimi ka rritje prej 22 mijë vende pune të reja në krahasim me qershorin e vitit paraprak. Projeksionet për rritje i kemi pasur për 7.9 për qind, mirëpo marrë parasysh me performancën që pritet ta kemi mbi 10 për qind”, shtoi ai.
Pos mbështetjes financiare për bizneset e dëmtuara nga pandemia COVID-19 janë përfshirë edhe gratë dhe fëmijët.
Gratë lehona të papunësuara do të përfitojnë 170 euro gjashtë muaj pas lindjes.
Ndërsa, fëmijët deri në moshën 2 vjeçare do të marrin nga 20 euro. /Insajderi.com