“Dielli ka lindur përsëri” për Vëllaznimin

“Dielli ka lindur përsëri” për Vëllaznimin

Nuk janë pjesë e Superligës që nga viti 2018, por ditë të mira po vijnë për KF Vëllaznimin nga Gjakova.

Kuqezinjtë që tashmë garojnë në Ligën e Parë, Grupi A, e kanë nisur kampionatin në mënyrë fenomenale dhe po japin shpresë që këtë sezon do garojnë për kreun e tabelës, shkruan Shqip.com.

Këtë kampionat, “timonin” e ekipit gjakovar e ka marrë Granit Begolli, për të cilin kjo është aventura e parë si trajner.

Në një intervistë për Shqip.com, Begolli ka folur rreth gjendjes momentale në ekip, synimet e tyre dhe shumë gjëra tjera që kanë të bëjnë me Vëllaznimin.

Ai, fillimisht tha se për të është nder dhe kënaqësi e madhe që po e drejton një klub me traditë në futbollin kosovar.

Granit Begolli gjatë prezantimit të tij si trajner i Vëllaznimit

“Është një privilegj për mua të udhëheqë një nga klubet më të mëdha në Kosovë. Mendoj se e kemi nisur mjaft mirë kampionatin falë punës së palodhshme nga futbollistët. Jam shumë i kënaqur me ecurinë dhe formën momentale të skuadrës”, tha fillimisht Begolli.

Ai bëri të ditur se Vëllaznimi këtë sezon do të jetë kandidat për inkuadrim në Superligë, por konkurrenca është e fortë.

“Kemi ndërtuar një ekip që synon vendet e para dhe nëse na ofrohet mundësia do “luftojmë” për ta arritur Superligën. Mendoj që grupi është mjaftë i fortë dhe ka ekipe tejet cilësore, pavarësisht së disa prej tyre e kanë filluar keq kampionatin. Ka shumë kohë deri në fund të sezonit, kur dhe do të ndahen skuadrat që do të “luftojnë” për inkuadrim në Superligë”, shtoi ai.

Ish-futbollisti i Prishtinës gjithashtu përmendi faktin se e kanë nisur kampionatin me vonesë dhe kjo i ka penguar paksa ata.

“Mendoj që kemi filluar pak me vonesë dhe kjo na ka hendikepuar në shumë aspekte duke filluar nga përgatitja fizike e deri të afrimet e futbollistëve, por unë jam mjaftë i kënaqur me këtë grup që kemi dhe mendoj që në janar duhet të intervenohet që ta rrisim konkurrencën” u shpreh trajneri i kuqezinjve.

Tifozët e ekipit gjakovar duke e shikuar ndeshjen kampionale Vëllaznimi-Besa

Për fund. ai tha se “krahas objektivave të klubit do të mundohemi t’i japim hapsirë edhe futbollistëve të rinj”.

“Te Vëllaznimi kemi 4 futbollistë të moshës 20-23 vjet që luajnë rregullisht dhe po paraqitën mjaftë mirë. Kemi rastin e Prapashticës që luan si sulmues i krahut të majtë, Berni Kastratit që luan si mbrojtës i krahut të djathtë dhe portierit Petrit Terziu që pavarsisht moshës së re, të gjithë këta kanë treguar ndeshje shumë të mira dhe kanë qenë protagonist në këtë fillim kampionati”.

Ekipi nga Gjakova kanë grumbulluar gjithsej 17 pikë nga shtatë xhiro të zhvilluara, ndërsa janë duke u ndjekur nga Trepça 89 e cila ka dy pikë më pak. /Insajderi.com

Renditja në tabelë, Liga e Parë, Grupi A