Përfaqësuesja e Kosovës në futboll, ka nisur përgatitjet për ndeshjet e këtij muaji, por pa pesë lojtarë të saj, transmeton Insajderi.com.
“Dardanëve” në stërvitjen e parë, të zhvilluar të hënën mbrëma në “Fadil Vokrri”, u mungojnë Milot Rashica, Florent Hadërgjonaj, Herolind Shala, Bersant Celina dhe Lirim Kastrati, raporton ‘Koha’.
Ardhja e Kastratit është në dyshim për shkak të një lëndimi, ndërsa katër të tjerët do t’i bashkohen përfaqësueses në stërvitjen e së martës.
Kosova të shtunën luan në udhëtim ndaj Suedisë, kurse më 12 tetor e pret Gjeorgjinë në “Fadil Vokrri”.
Ndeshjet u takojnë kualifikimeve për Botërorin “Katari 2022”.
I qetë në stërvitje ishte selektori Bernard Challandes, ndërsa ndihmësit e tij kryenin shumicën e punëve të caktuara nga zvicerani.
Në konferencën e mbajtur në mëngjesin e së hënës, Challandesi porositi futbollistët e tij të angazhohen maksimalisht për ndeshjet e këtij muaji, kundër Suedisë dhe Gjeorgjisë.
Kërkoi që të jenë të disiplinuar në fushë gjatë ndeshjeve, por edhe gjatë stërvitjes.
Me intensitet më të lartë, futbollistët e Kosovës pritet të stërviten në ditët në vazhdim. Të gjitha stërvitjet para udhëtimit për në Suedi është paraparë të zhvillohen në “Fadil Vokrri”, ku Kosova i luan të gjitha ndeshjet si vendase. /Insajderi.com